Dikur “mbushte” Italinë me drogë/ Kush është Alket Hatija, që u arrestua sot në Durrës

Policia ka arrestuar ditën e sotme 50-vjeçarin Alket Hatija, një person jo i panjohur për drejtësinë, i shpallur në kërkim që prej vitit 2019.

Hatija u gjet në një hotel në Durrës, teksa pritet që të ekstradohet drejt Italisë, aty ke do të vuajë dënimin me 20 vite burg për trafik lëndësh narkotike.

Por kush është Alket Hatija?

lket Hatija, një person jo i panjohur për drejtësinë, i dënuar me 20 vjet burg nga autoritetet gjyqësore italiane për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar në Durrës me qëllim ekstradimin.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se 50 vjeçari u kap gjatë një operacioni policor në një hotel në qytetin bregdetar.

Alket Hatija ka bashkëpunuar me 40 shtetas të tjerë për trafikimin e lëndëve narkotike. Gjatë periudhës 2003-2004, ky shtetas ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali.

I cilësuar nga mediat italiane si “Zoti i drogës”, Hatija është i dënuar nga Gjyakata për Krimet e Rënda, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”.

Hatija është arrestuar më herët në vitin 2017 për llogari të drejtësisë italiane, pasi akuzohet se në vitet 2003-2004 ka transportuar në milano 350 kilogramë heroinë dhe 190 kg kokainë, ngarkesa këto me vlerë 35 deri në 45 milion euro.

Hatija u arrestua në Durrës, teksa po shkonte të takonte një mik. Mediat italiane shkruanin asokohe se kishte një vilë bunker në qytetin e Beratit, e cila vëzhgohej me kamera dhe truproja të armatosura.

Ai u prangos më 8 korrik, por Gjykata e Durrësit e cilësoi të jashtëligjshëm arrestimin e tij. Katër ditë më vonë më, më 11 korrik 2017 ai u la i lirë.

Lirimi i tij ka ngjallur debat, ndërsa më vonë, në vitin 2019 Apeli i Durrësit ka kërkuar riarrestim, në pritje të ekstradimit të tij në Itali, për të vuajtur dënimin me 20 vite burg

50-vjeçari ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast).