Dhuna e Rrajave, Prokuroria zbut akuzat në ‘plagosje e lehtë me dashje’
Pesë anëtarët e fisit Rraja, mes të cilëve 2 vëllezërit e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe djali i tij, Rexhep Rraja, përfundimisht akuzohen për “plagosje të lehtë me dashje” dhe “kanosje”, në lidhje me dhunën ushtruar ndaj 2 kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja në ambientet e një lokali në Fushë Krujë më 6 korrik të këtij viti, pasi kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë.
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur zyrtarisht hetimet dhe pritet të dërgoj dosjen për gjykim në ditët në vijim, ndryshe nga vepra penale me të cilën e regjistroi fillimisht hetimin, “plagosje e rëndë me dashje”.
Ekspertiza e parë e firmosur nga mjeku ligjor Elton Serani, e klasifikonte dhunën, e cila në pamje filmike duket të jetë barbare, plagosje e lehtë. Në akt-ekspertim thuhet se dëmtimet nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të tyre dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën 9 ditë. Pas daljes së akt-ekspertimit të parë, Prokuroria kërkoi një tjetër akt-ekspertim, i cili në datën 18 shtator ka rikonfirmuar edhe njëherë të njëjtin rezultat si i pari, plagosje e lehtë, duke çuar në përfundimin e hetimeve me zbutje të veprës penale.
Videoja e xhiruar nga vetë anëtarët e fisit Rraja shokoi opinionin publik në fillim të korrikut. Vëllezërit dhe djali i deputetit u shfaqën si në një skenë filmash duke goditur me shkopë bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda 2 persona. Bilbil e Jashar Maja përfunduan në spital vetëm se deshën të mbrojnë shtëpitë e tyre.
Ngjarja e rëndë pati një reagim zinxhirë, deri në instancat më të larta. Kryeministri Rama urdhëroi shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, Rrahman Rraja la mandatin e deputetit, ndërsa u shkri i gjithë Komisariati i Krujës. Aktualisht, për këtë ngjarje janë 6 persona në kërkim. FNSH ka kryer kontrolle të shumta, por asnjëri prej tyre nuk është gjetur.