Detaje nga sekuestrimi i 585 kg kokainë në Selanik, gruaja e 50-vjeçarit shqiptar “kyç gojën”, dy nipërit zbërthejnë skemën e trafikut

Zbulohen të tjera detaje nga dosja hetimore e sekuestrimit të 585 kg kokainë në Selanik që çoi në arrestimin e 5 shqiptarëve nga Fieri e Vlora, mes të cilëve edhe një zjarrfikës i Bashkisë Fier.

Siç del nga dosja hetimore të zbuluar nga “Protothema” disa nga anëtarët e grupit të 50-vjeçarit Arjan Xhafaj, duket se po bëjnë “punë” të ngjashme në vende të tjera të botës, si p.sh. në Spanjë apo Shqipëri.

Në veçanti, një prej nipave të Xhafajt, u zbulua se së fundmi ka vizituar Madridin, Guadalajarën, Londrën dhe Australinë, ndërsa në disa foto ai shihet duke pozuar para laboratorëve të organizuar të kultivimit të fidanëve të kanabisit në Spanjë.

Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari Arjan Xhafaj, i dyshuar si organizatori i grupit ka pohuar se është përfshirë në këtë çështje pas një takimi që ka pasur me një të panjohur në Shqipëri. Sipas fjalëve të tij, i panjohuri i premtoi një tarifë prej 100 mijë eurosh dhe i kërkoi të shkonte me pjesën tjetër te grupit në Selanik për të organizuar marrjen dhe shpërndarjen e 500 kilogramëve kokainë.