Hetimet për aferën CEZ-DIA, deputeti i PS, Agron Çela shkon në SPAK

Deputeti i PS, Agron Çela shkon në SPAK.

Hetimet për aferën CEZ-DIA kanë çuar në dyert e SPAK deputetin Agron Çela. Ky i fundit është thirrur nga Prokuroria e Posaçme për t’u marrë në pyetje për këtë aferë që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 mln euro. Deputeti Agron Çela aktualisht është pjesë e grupit të Partisë Socialiste, por më parë ka qenë deputet i Partisë së Lirisë dhe një nga njerëzit e afërt të Ilir Metës.

Çela është thirrur një javë pasi Prokuroria e Posaçme mori në pyetje për këtë aferë Ilir Metën. Ky i fundit i cilësoi hetimet si një telenovelë dhe hodhi akuza se çështja po përdoret politikisht nga Edi Rama me kallëzues të rremë, referuar këtu juristit Romeo Kara.

Për këtë aferë u dënua vetëm Ismailaj, i cili ka kryer dënimin, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, ku me falsifikim të dokumenteve arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer. Kjo dosje e nxehtë për dyshen Berisha-Meta është rikthyer në SPAK. Afera CEZ-DIA për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët, nisi të zbatohej pas finalizimit të mega aferës së shitjes së OSSH tek CEZ nga qeveria Berisha. Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e 75 % të aksioneve të OSSH nga çekët. Negociatat rezultuan të përfshirë edhe djalin e ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

Lajm ne përditësim…