Dëmtohen varret e Haklajve/Policia në përpjekje për kapjen e autorëve

Jo vetëm varri i Fatmir Haklajt është dhunuar. Policia e Tropojës, sqaroi ditën e sotme, se disa persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar pllakat e tre varreze në varrezat publike në qytet.

Tashmë ka nisur puna për të zbuluar se kush janë autorët e për t’i vënë përballë drejtësisë. Pas kapjes, autorët do të hetohen për veprën penale “Dhunimi i varreve”.

‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Dhunimi i varreve”, dhe po vijojnë intensivisht punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, pasi: Shtetas ende të paidentifikuar kanë dëmtuar pllakat e 3 varreve në varrezat publike të qytetit të Tropojës’– njofton Policia.

Ky sqarim vjen vetëm një ditë pasi u bë e ditur se ishin dhunuar disa varre në Tropojë, e në mesin e tyre ishte ai i Fatmir Haklajt. Zylfije Haklaj, motra e vëllezërve Haklaj ishte ajo e cila denoncoi se varri i Fatmirit ishte shkatërruar. Në një postim te llogaria “Haklajt e Tropojës” që menaxhohet prej saj, ajo shkruan se edhe të vdekur, vëllezërve të saj ua kanë frikën.

“Ju po ngelshi tanë kohën në Kodër të varrezave tona se edhe të vdekur jau keni frikën a mos po çohen. Na e kena ditë që do t’i prishni dhe me qellim i kena punue me ditë të saktë kushë merret me këto punë. Hajrin ja pafshi punës”, shkruan ajo.