Deklarim i rremë pasurie, GJKKO dënon ish-gjyqtarin Guxim Zenelaj
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor ish-gjyqtarin Guxim Zenelaj, duke e dënuar me 6 muaj burgim për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë. Megjithatë, dënimi i tij është konvertuar në shërbim prove për një vit, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.
Vendimi u shpall nga trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Bib Ndreca, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte ngritur akuzën për “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, sipas nenit 257/a të Kodit Penal.
Sipas vendimit të GJKKO, Zenelaj është i detyruar të:
• Mbajë kontakte të rregullta me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
• Marrë pëlqimin e saj nëse ndryshon vendbanim.
• Pagojë shpenzimet gjyqësore dhe ato të hetimit paraprak, që arrijnë në 220,000 lekë.
Ky vendim mund të ankimohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.