Dan Hutra dyshohet se vrau edhe Etleva Kurtin në Kamëz

Disa orë më parë, Replika tregoi ekskluzivisht itinerarin e autorit të krimeve makabër të bëra ditën e sotme në Kamëz, Paskuqan e Astir.

Gjithashtu, teksa zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai referoi mbi ngjarjet, ‘replika’ drejtoi edhe dy pyetje:

  1. Në çfarë ore u vra 31 vjeçarja Etleva Kurti në Kamëz?
  2. A mund të kryejë ky person krime të tjera.

Në përgjigje të këtyre pyetjeve, vlen të theksohet se Dan Kutra dyshohet të jetë autor i  vrasjes së Kurtit, pak përpara se të ndodhte masakra në familjen Hysa.

Kemi të bëjmë me një person që ka ka vrarë dy gra, dhe dyshohet edhe për një tjetër, ndërsa ka plagosur 3 të tjera.

Dan Kutra vazhdon të jetë ende në kërkim policor, duke rrezikuar kështu jetë të tjera njerëzish.

 

Paskuqan, Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:30, në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Do të ndajmë me publikun foton e autorit të dyshuar dhe mirëpresim çdo informacion për vendndodhjen e tij.

Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.
—-
Ndërkohë, në Kamzë, në rrugën “Besëlidhja”, në rrethana ende të paqarta, në oborrin e banesës, është vrarë me armë zjarri shtetasja Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon për identifikimin e autorit/ëve të dyshuar.
Informacion me të detajuar do të japim në vijim.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:15, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spital, shtetasja M. G., 40 vjeçe, e dëmtuar me mjet prerës, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se kjo shtetase është dëmtuar me mjet prerës, në zonën e quajtur “Astiri”.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.