“Daja, hajde shpejt”/ Thirrja e dëshpëruar e fëmijës, pasi i ati i mbyti të ëmën! Vëllai i viktimës: Na ndihmoni ta kthejmë trupin në Shqipëri
Mes hidhërimit për ndarjen nga jeta të motrës së tij Etleva Bodi, Erjon Kanolja u kërkon ndihmë shqiptarëve për të sjellë në Shqipëri trupin e pajetë të 31-vjeçares.
Përmes një ‘Gofoundme’, vëllai i Etlevës kërkon ndihmë monetare jo vetëm për të sjellë trupin e së motrës, por edhe për rehabilitimin e fëmijëve të mitur të cilët janë në duart e drejtësisë italiane pasi i ati është në burg.
“Quhem Erjon Kanolja. Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 27 Tetorit në Savona të Italisë, i mori jetën motrës time të pafajshme ETLEVA BODI e cila u bë viktimë e bashkëshortit të saj dhe episodeve të tij të sëmura të xhelozisë. Lajmërohem atë mbrëmje nga nipi im i cili është veçse një fëmijë 13 vjeç :”Daja, hajde shpejt”, ishte thirrja e tij.
Forcat policore dhe mjekësorë dhanë maksimumin e tyre për të shpëtuar jetën e motrës sime, por ajo e pati të pamundur të mbijetonte për shkak te traumës që pësoi dhe ndërroi jete mbrëmjen e 29 Tetorit ora 21:00.
Motra ime la pas 4 fëmije ku më i madhi prej tyre është veçse 13 vjeç. Te 4 këta fëmije tani janë ne dore te drejtësisë Italiane dhe fatit pasi e ëma e tyre ndërroi jetë dhe i ati i tyre gjendet nën arrest.
Ne bëjmë thirrje të gjithë shqiptareve dhe personave te ndjeshëm ndaj kësaj fatkeqësie që na ka ndodhur të na ndihmojnë sadopak të sjellim trupin e pajetë të motrës sonë në Shqipëri dhe gjithashtu ndihme sadopak për rehabilitimin që do t’u bëhet 4 fëmijëve të saj të mitur që ajo la pas.
Një ngjarje e tillë na ka lënë te shokuar dhe të mpirë, të paaftë për të pranuar realitetin. Një ngjarje e tille si kjo na ka plagosur thellë në shpirt dhe do mbetet traume e përjetshme si për ne ashtu dhe për fëmijët që kanë qenë prezent në skenë dhe momentin e tentativës së vrasjes. Ju lutemi na ndihmoni të sjellim trupin e saj të pajetë dhe t’i rehabilitojmë këta 4 fëmijë jetim”, shkruan vëllai i viktimës.
31-vjeçarja nënë e katër fëmijëve të mitur, nuk mundi të mbijetojë pavarësisht ndihmës mjekësore të mjekëve të spitalit San Paolo në Savona. Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës të së premtes, ku 41-vjeçari shqiptar, Selami Bodi, sipas mediave italiane, njoftoi urgjencën pasi gruaja e tij nuk merrte dot frymë. Por pas ndihmës së parë të dhënë nga urgjenca, rezultoi se Etleva Bodi ishte sulmuar nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u arrestua nga policia italiane dhe tashmë akuzohet për vrasje. Shkak u bë një debat mes tyre për motive xhelozie.