Një 55-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në Tiranë pasi në dyqanin e tij u sekuestruan nga policia dhjetëra steka cigare të futura kontrabandë.
Policia ka sekuestruar cigaret me pulla fiskale të falsifikuara ndërkohë që materialet në ngarkim të 55-vjeçarit i kaluan prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “False”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. D., 55 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin e shtetasit A. D., në rrugën “Hamdi Pepo”, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra steka me cigare, të dyshuara të kontrabanduara dhe me fulla fiskale të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.