Çfarë ndodhi mbrëmë në kryeqytet/ Nga zbardhja dhe prangosja e autorëve të vjedhjes së banesës, tek sherri me armë të ftohta pranë “Rosa Blue”
Tirana, duke qenë edhe qyteti më i populluar në vend, përballet edhe me një dinamikë të shtuar të ngjarjeve kriminale.
Mbrëmjen e kaluar, Komisariati i Policisë nr.2 arriti të zbardhë dhe të prangosë autorët e një vjedhjeje të kryer pak kohë më parë. Në banesën e një shtetasi u vodh një shumë e konsiderueshme parash, që e kalon vlerën e 100 mijë eurove.
Njoftimi i plotë nga policia:
Sekuestrohen mbi 8 milionë lekë të rinj të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i provave të siguruara falë një pune të mirëfilltë hetimore, trejavore, të realizuar me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Inside”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasve:
– R. D., 49 vjeçe dhe H. D., 23 vjeç (nënë e bir), të dy banues në Tiranë.
Nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja R. D. ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin H. D. (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
#angazhimpërkushtimsakrificë👮♂️🚔
#tëvendosurkundërkrimit✅
#nëçdoskajtëvendit🇦🇱
#nëshërbimtëqytetarëve👮♂️🤝🙍♂️
Nga ana tjetër, në rrugën e Kavajës, pranë “Rosa Blue”, një sherr për motive ende të pabëra me dije nga ana e policisë, përfundoi në përplasje me armë të ftohta.
Burimet bëjnë me dije për ‘replika.al’ se ka persona të plagosur.
Aida Topalli