Berisha: Si do ta quani sallën e parlamentit sot? Ishte gjysma e saj, gjysmë meiti/ Secili shihte njeri-tjetrin kur do t’i fluturojë mandati

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pas seancës së posaçme që i dha “OK” SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj se për fatin e keq, ai nuk ishte i akuzuari, por prokurori i deputetëve të PS. Sipas Berishës janë shumë emra në hetimet e SPAK.

SALI BERISHA: Si do ta quani sallën e parlamentit sot? Ishte gjysma e saj, gjysmë meiti. Secili shihte njeri-tjetrin kur do t’i fluturojë mandati. Rama ia mbathi kur u lexua raporti. Pati frikë se do e pyesnin. Pastaj mezi doli nga salla Gjiknuri, janë shumë aty, nuk e keni idenë sa shumë emra janë. Klotilda që në emër të Erit bënte amendamente personale për Tiranën. Për fatin e keq, i akuzuari nuk ishte Ahmetaj, por Ahmetaj ishte prokurori i tyre.

Ndërkaq në nisje të seancës, kryedemokrati Sali Berisha kërkoi fjalën.

SALI BERISHA: Në mungesë për shkak të arratisë së zëvendëskryeministrit, i cili duhet të ishte në këtë sallë për t’u përgjigjur pyetjeve, në respekt të parlamentit, në respekt të drejtësisë, në respekt të qytetarëve shqiptarë, unë propozoj që të gjitha pyetjeve t’u përgjigjet bosi i tij, Edi Rama. Ndaj thirreni këtu t’i bëjmë pyetje.

Aktualisht kryeministri Edi Rama ndodhet në Kuvend, megjithatë në momentin që Berisha iu drejtua foltores ai u largua jashtë sallës.