Berisha nuk e zbatoi sërish masën “detyrim paraqitje”/ SPAK pritet të marrë një vendim për ish-kryeministrin
SPAK pritet të marrë një vendim në lidhje me Sali Berishën, i cili nuk ka zbatuar masën që Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka marrë.
Mësohet se prokurorët e çështjes janë mbledhur për të diskutuar në lidhje procedimin që do të vijojë për ish-kryeministrin.
Ky diskutim do të vijojë edhe ditën e nesërme, por deri më tani nuk janë treguar më tepër detaje, për shkak se prokurorët e çështjes “Partizani” kanë preferuar të heshtin.
Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha nuk e zbatoi sërish masën “detyrim paraqitje” të dhënë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion.
Kjo ishte hera e tretë që Berisha e thyente këtë masë sigurie. Në raste të ngjashme kur masa e sigurisë thyhet në mënyrë të përsëritur siç ka bërë Berisha aplikohet masë më e ashpër sigurie, që në këtë rast është “arrest në shtëpi”.
Për këtë arsye edhe prokurorët e çështjes “Partizani” do të mblidhen për të marrë një vendim, se si do të veprohet më tej me ish-kryeministrin.
Mbi Berishën rëndojnë masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, pasi akuzohet për korrupsion pasiv në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.