Zbardhet ngjarja e ndodhur jashtë ambienteve të një bilardoje në qytet, mbrëmjen e datës 08.05.2023, ku pas një konflikti të çastit, u plagos me armë zjarri, një 22-vjeçar.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari, autor kryesor i këtij rasti, pasi dyshohet se kreu plagosjen me armë zjarri.Procedohen penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë, të cilët gjatë këtij konflikti, kanë dhunuar 22-vjeçarin.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, pasi kanë identifikuar menjëherë pas ngjarjes, 3 shtetasit e përfshirë në një konflikt të çastit, me armë zjarri, të ndodhur në Lezhë, mbrëmjen e datës 08.05.2023, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, mbështetur nga inteligjenca policore, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Për këtë rast, u vu në pranga shtetasi Xh. F., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi më datë 08.05.2023, jashtë ambienteve të një bilardoje në Lezhë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin A. L., 22 vjeç, banues në Rrilë.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë edhe për shtetasit L. F., 29 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të dy banues në Lezhë, pasi dyshohet se gjatë këtij konflikti, në bashkëpunim me të arrestuarin Xh. F., kanë dhunuar fizikisht shtetasin A. L.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.