Gjykata e Posaçme mbyll dyert për mediat gjatë dhënies së dëshmisë të të penduarit Luftar Reçi në procesin ndaj Emiljano Shullazit, Viktor Imerit etj.
Pas më shumë se dy vitesh, ku dëshmia qarkulloi në të gjitha mediat, gjykata vlerësoi, se deklarimet e tij përbëjnë sekret hetimor.
Një kërkesë e çuditshme e prokurorisë së posaçme, por edhe a gjykatës që e pranoi, në kushtet kur dëshmia e tij që prej operacionit “asgjë nuk harrohet”, është bërë publike.
Gjykata e Posaçme ka urdhëruar shoqërim të detyrueshëm për të dënuarin Luftar Reçi. Ditën e sotme ai ka dalë përpara Gjykatës.
Por në Gjykatën e Posaçme nuk janë pranuar mediat për dhënien e dëshmisë të të penduarit Luftar Reçi në procesin ndaj Emiljano Shullazit, Viktor Imerit etj.
Kujtojmë se më parë Reçi tha se nuk kishte mundësi të paraqitej në Gjykatë pasi nuk ndihej mirë.
“Nuk kam më mundësi e as fuqi të paraqitem në gjyq.
”Kam ardhur 5 herë dhe gjyqi është shtyrë. Unë jam paraqitur për respekt të drejtësisë. Jam i sëmurë prej vitesh me diabet dhe probleme të tjera shëndetësore. Kërkoj të dëshmoj me skype. Nëse avokatët kanë dyshime, të jenë prezentë tek unë dhe 2-3 gazetarë.
Kam arsye shëndetësore dhe sigurie vajtje-ardhje. Ardhja ime në gjykatë është si të dërgosh qengjin mes ujqërve”, thuhej në deklaratën e Reçit.