Balla “zbarkon” papritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, zbulohet çfarë u kërkua

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, pasditen e djeshme ka zhvilluar një takim në drejtorinë e Tiranës, ku ka lënë disa porosi. Në mbledhje kanë qenë drejtuesit e sektoreve kryesore në Drejtorinë vendore të Tiranës.

Fokusi i kësaj bisede ka qenë kryesisht lufta kundër kanabisit, kryesisht në Malësinë e Krujës, por edhe në fshatra të tjerë të Tiranës. Balla ka kërkuar që tu tërhiqet vëmendje shefave të 8 komisariateve që janë nën juridiksionin e Tiranës që të mos tolerojnë asnjë rrënjë kanabis por dhe ngjarje të tjera me natyrë kriminale.

Porosi e Ballës ka qenë edhe zbardhja e ngjarjeve Kriminale që kanë tronditur vendin javët e fundit si vrasja në Larushkë apo kapja e personave të shpallur në kërkim për sherrin mes fisit Rraja dhe Maja për guroren në Borizanë. Ndërkohë edhe rendi dhe siguria publike është kërkuar nga Balla për sa i përket muajit gusht ku ka një fluks të madh turistësh në kryeqytet.

Në turin e takimeve në Drejtoritë Vendore të Policisë, ndalesën e radhës e kishte me drejtuesit e Policisë së kryeqytetit. Ai kërkoi nga strukturat e Tiranës, që mbajnë një peshë specifike në volumin e punës së Policisë së Shtetit, të shtojnë përpjekjet për më shumë rezultate e siguri të shtuar.

Në këto muaj vere, kur ka një numër të lartë vizitorësh e turistësh të huaj, policia e rendit dhe ajo rrugore, duhet të jenë më prezent në territor për të ndihmuar dhe parandaluar çdo incident.

Më tej, Balla u shpreh se revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë. Policimi në Komunitet, sipas tij, duhet të ngrihet në një nivel krejtësisht të ri, me fokus shqetësimin qytetar, të cilat janë jo vetëm arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, por janë edhe partnerët e pazëvendësueshëm.

“Revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit do të duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë se deri tani dhe Komisariati Digjital do të marrë një peshë dhe rëndësi të dorës së parë. Ai aplikacion duhet të jetë porta ku çdo qytetar jo vetëm mund të hyjë nga çdo smartfon apo kompjuter, por edhe të marrë përgjigje të shpejtë, jo vetëm me fjalë në të gjitha rastet, por edhe me vepra në çdo rast që ankesa është e drejtë”, thekoi Balla. Ministri tërhoqi vëmendjen e Policisë për të bërë më shumë dhe rritur gamën e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve online.

“Në kohën kur qeveria po punon për të futur inteligjencën artificiale në platformën e-albania, në procesin e Integrimit Europian, në procesin e tenderimeve publike dhe të tjerë sektorë dhe kur dikastere të ndryshme kanë bërë kapërcime të mëdha në rrugën e Revolucionit Digjital, Policia e Shtetit nga një pararojë e digjitalizimit sot ka mbetur pas”, nënvizoi Balla.