Ashpërsimi i masës së sigurisë ndaj Sali Berishës, Këshilli i Mandateve miraton me 6 vota pro kërkesën e SPAK

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve ka miratuar me 6 vota pro dhe asnjë kundër që kërkesa e Prokurorisë së Posaçme t’i kalojë Parlamentit për heqjen e mandatit të deputetit Sali Berisha.

Pas votimit të këtij këshilli, vendimi do të shkojë në Parlament për miratimin përfundimtar për heqjen e mandatit të Sali Berishës. Seanca pritet të zhvillohet gjatë së enjtes.

SPAK kërkon dhënien e autorizimit për masë më të ashpër ndaj Berishës, atë të “arrestit shtëëiak”, ndërsa më herët është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’, masë të cilën Berisha nuk e zbatoi me pretendimin se Prokuroria e Posaçme kishte shkelur Kushtetutën duke mos kërkuar më parë vendimin e Parlamentit. Berisha u vu nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani rreth 15 vite më parë.

 

 

Në mbledhje, e cila nisi në orën 12:00 ishin të pranishëm dhe prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, ndërkohë që nga opozita merr pjesë vetëm deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, teksa deputetët e tjerë të opozitës, mungojnë. Kujtojmë se në kohën kur nisi mbledhja, paralelisht opozita protestonte.

Diskutimet

Gjokutaj (avokati i Berishës): Kemi një kërkesë paraprake. Jemi vënë në dijeni të kërkesës që SPAK ka paraqitur pranë jush. Sikurse ne do të provojmë me provat që kemi, në momentin që zhvillohet kjo seancë dëgjimi, në Kushtetuese është depozituar kërkesa në 14 dhjetor nga ⅕ e deputetëve për interpretimin e nenit 73/2 të Kushtetutës, përsa i takon çështjes së heqjes apo kufizimit të imunitetit të deputetit në çdo kohë, pa e kërkuar dhe pa e marrë paraprakisht autorizimin e Kuvendit. Kjo çështje ka filluar në muajin tetor dhe masa e detyrimit për paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit janë marrë me kërkesë të SPAK drejtuar direkt GJKKO-së. Ne kërkojmë pezullimin e kësaj seance.