Arrestohet mjeku në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ngacmoi seksualisht pacienten

Një mjek në spitalin “Shefqet Ndroqi” është arrestuar pas akuzave për ngacmim seksual ndaj një pacienteje. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe, duke ngritur shqetësime lidhur me sigurinë dhe etikën profesionale në institucionet shëndetësore.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur detajet e incidentit, ndërsa mjeku i arrestuar do të përballet me akuzat ligjore për veprimet e tij.

Policia e Tiranës ka arrestuar mjekun radiolog Pëllumb Hasko, pasi ka ngacmuar seksualisht një paciente. Ndaj tij rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre dhe ngacmim seksual.

Mjeku punonte në spitalin “Shefqet Ndroqi”, si dhe në një klinikë private. Spitali “Shefqet Ndroqi” ka dalë në një deklaratë para arrestimit të mjekut, duke thënë se ai është pezulluar nga detyra. Spitali gjithashtu ka nisur një hetim disiplinor për radiologun dhe për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë rast të paprecedent.

“Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe çdo sjellje abuzive me pacientët. Abuzimi seksual është jo vetëm një veprim kriminal, por një shkelje e rëndë e besimit dhe etikës mjekësore, së cilës i jemi përkushtuar. Të gjithë ne mjekët dhe punonjësit e Spitalit “Shefqet Ndroqi” jemi thellësisht të tronditur, të tradhtuar dhe të revoltuar nga veprimet e kolegëve tanë. Por, duam të sigurojmë qytetarët se do të vijojmë të qëndrojmë në mbrojtje të shëndetit, dinjitetit dhe mirëqenies së tyre.

Ky rast na bën të ndiejmë përgjegjësinë për t’u kërkuar ndjesë publike qytetarëve dhe sigurojmë publikun se çdo rast i ngjashëm do të marrë përgjigjen e merituar ligjore në bashkëpunim me organet përkatëse, duke siguruar ndëshkimin e individëve që kompromentojnë misionin e shenjtë të mjekut”, thuhet në deklaratë.