Arrestohet 39-vjeçari në Manëz
Një 39-vjeçar në Manzë është arrestuar nga policia pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për dënimin e tij me 18 vjet burgim.
Shtetasi Afrim Kila, së fundi ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe është dënuar për vrasjen e një personi në vitin 2020.
Ngjarja ndodhi në ambientet e një lokali në Ishëm, ku Kila goditi personin me mjete të forta dhe më pas në rrugë e goditi me automjet, duke i shkaktuar vdekjen.
Njoftimi i policisë:
Manzë, Durrës
Ndalohet një shtetas i dënuar me 18 vjet burgim për vrasje me dashje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Postën e Policisë Manzë bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për shtetasin Afrim Kila, 39 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, e cila ka dënuar këtë shtetas, me 18 vjet burgim. Shtetasi Afrim Kila së fundi ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Më datë 19.05.2023, në përfundim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur në vitin 2020, në ambientet e një lokali, në Ishëm, ku shtetasi Afrim Kila goditi me mjete të forta dhe më pas në rrugë e goditi me automjet, shtetasin D. (P). K., i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e ka deklaruar fajtor këtë shtetas dhe e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Në vijim të veprimeve shtetasi Afrim Kila u transportua në IEVP Durrës, për të vuajtur dënimin.