Armët u përdorën edhe në dy ngjarje të tjera?/Replika zbardh dinamikën e plotë të atentatit në Don Bosko

Nga Aida Topalli

Detaje të reja dalin në dritë, lidhur me masakrën e mbrëmjes së 12 marsit në Don Bosko, ku viktimë mbeti Mimoza Paja dhe u plagosën 5 persona të tjerë, mes tyre edhe një 10-vjeçare.
Për realizimin e këtij atentati, kanë marrë pjesë të paktën 5 persona.
Burime pranë grupit hetimor, bëjnë me dije se dy persona kanë patur rolin e vëzhguesit. Ata kanëlëvizur me motorra, që një ditë para ngjarjes e deri pak minuta para kryerjes së atentatit.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, është afruar automjeti tip BMW, ku dy persona kanë dalë dhe kanë qëlluar, ndërsa shoferi ka qënduar brenda.
I gjithë momenti i atentatit ka zgjatur jo më shumë se 20 sekonda.
Menjëherë pas kryerjes së aktit të rëndë, autorët janë larguar me shpejtësi, duke ndjekur itinerarin nga Spitali i Traumës, në drejtim të autostradës, e më pas në fshatin Likmetaj, ku edhe kanë djegur automjetin, bashkë me tre armët. Aty janë pritur nga një tjetër automjet dhe janë larguar.

Burimet shtojnë se shenjestër ka qenë pronari i lokalit dhe meqenëse ata nuk e kanë ditur se është larguar në fshehtësi nga Shqipëria, kanë kryer atentatin.

Një tjetër detaj tejet i rëndë, është se ka dyshime të forta se armët që u gjetën në automjetin e djegur në Likmetaj, të jenë përdorur në të paktën dy ngjarje të tjera kriminale.

Nga ana tjetër, policia vijon punën hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Në pyetje janë marrë edhe personat që mbetën të plagosur në lokalin, që janë të afërm dhe familjarë të Fatjon Muratit.

Deklaratat e tyre nuk kanë dhënë asnjë ndihmë, pasi janë shprehur se nuk kanë patur konflikt me askënd.