Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Gjergj Cukalin
Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin me 25 vite burgim ndaj Gjergj Cukalit, i cilësuar edhe si “i forti i Myslym Shyrit”.
Shkalla e parë e kishte dënuar për ngjarjen e ndodhur në Kamëz, ku Cukali kishte porositur hedhjen në erë me tritol të biznesmenit Gjon Mena, në vitin 2021, i cili arriti të shpëtonte.
Apeli dënoi gjithashtu edhe Ermond Jamakun, i penduar i SPAK-ut për këtë ngjarje, duke ia ulur një vit dënimin me burgim, nga 8 në 7 vite.
Gjithashtu, u ndryshua vendimi për personin e tretë të pandehur të dosjes, Blendi Dedën, i cili do të vuajë 18 vite burgim, nga 20 që ishin dhënë prej shkallës së parë. Avokatët mbrojtës kishin apeluar çështjen pas dënimeve të GJKKO-së.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 09.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 14 akti, datë 21.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga të pandehurit Gj.C., E.J., E.J., B.D., P.(B.)P. dhe F.B., ndaj vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
I. Lënien në fuqi të vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këto ndryshime:
- Në zbatim të nenit 28/7 të Kodit Penal, të pandehurit E.J., në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, i ulet dënimi dhe përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vite burgim.
- Dënimi i të pandehurit B.D. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, në dëm të shtetasit A.B., mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 76, 22 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe, në zbatim të nenit 334/1 të Kodit Penal, me 18 (tetëmbëdhjetë) vite burgim.
- Në bashkim dënimesh, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimi i të pandehurit B.D. caktohet si një dënim i vetëm prej 18 (tetëmbëdhjetë) vitesh burgim.
II. Shpenzimet gjyqësore për gjykimin në nivel apeli u ngarkohen solidarisht të pandehurve.
III. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.”