Apeli i GJKKO lë në burg ish-shefin e Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj

Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-shefit të Komisariatit të Lezhës, Dritan Metej, duke e lënë kështu në burg.

Metaj u arrestuar gjatë operacionit “Flakë në det” dhe dyshohet se ka lidhje me grupin e Gëzim Çelës.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 30.10.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 52 akti, datë 26.10.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga i hetuari/ankuesi D.M., ndaj vendimit nr. 111, datë 10.10.2023 (në lëndë të masave të sigurimit) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 111 akti datë 10.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftim.

Duke qenë se Çela, përveçse si baron droge dhe biznesmen, njihet edhe si një ish-efektiv i Policisë së Shtetit, lidhjet dhe njohjet mes tij dhe ish-kolegut Dritan Metaj të jenë të pashmangshme.

Në fakt, ky ka qenë argumenti që ka dhënë në Gjykatë dhe Prokurori, edhe Dritan Metaj, pasi u vu në pranga me bujë të madhe. Ai nuk e ka pohuar miqësinë me ish-kolegun e dikurshëm duke pranuar në një farë mënyre edhe akuzën e ngritur nga SPAK-u, që e akuzon shefin e Policisë së Kurbinit si bashkëpunëtor në trafikun e lëndëve narkotike që kryente grupi i Gëzim Çelës me bazë, sipas Policisë dhe SPAK në Fushë-Kuqe dhe në Patok.

Prokuroria dhe Policia pretenduan që në momentin kur deklaruan arrestimin e tij se kryepolici i Kurbinit ishte i dyshuar që në operacionin e parë dy muajsh, që u krye në lagunën e Patokut, ku policia mundi të arrestonte vetëm dy ukrainasit që i vunë flakën mjetit me të cilin udhëtonin dhe disa persona që po pinin kafe në lokalin që njihet si pronë e Gëzim Çelës, ndonëse jo e deklaruar.

Çela dhe dy persona të tjerë, sipas policisë mjaft të rëndësishëm në trafikun e narkotikëve, mundën të largohen dhe të mos kapen nga forcat speciale që mësynë Fushë-Kuqen atë natë, duke bërë të mundur edhe dyshimin se operacioni i tyre ishte dekonspiruar.

Komisari i arrestuar, Dritan Metaj, dyshohet se ka lëvizur me makinën e policisë, të ashtuquajturin “baron i drogës”, të kërkuarin Gëzim Çelën dhe anëtarë të tjerë të grupit. Burime policore bëjnë me dije se Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminal, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për t’i lëvizur pa i kontrolluar dhe dyshuar askush tek ata. Sipas të dhënave jo zyrtare, Metaj në dosjen e SPAK del me rol të rëndësishëm të trafikut të drogës, vijimësi e operacionit “Flakë në Det”, i nisur që në 15 gusht të këtij vitit.

Dyshohet se për Metën dhe Çelën janë zbuluar dhjetëra komunikimeve në celular, një pjesë e të cilëve u sekuestruan pasi u kap veliera në det duke u djegur. Mes tyre janë gjetur biseda të shumta të Metajt me Gëzim Çelës dhe 2 personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Prova mbështetëse për dokumentimin e veprimtarisë kriminale u siguruan edhe përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve në terren, me urdhër të SPAK.

Metaj është dorëzuar në momentin që u përball me provat e hetuesve: “E kam takuar Gëzim Çelën vazhdimisht për shkak të njohjeve me të që në kohën kur punonte në Policinë e Shtetit. E di që kam gabuar, por kjo ka ndodhur për shkak të marrëdhënie shoqërore që kishim dhe nuk e shmangia dot”, – ka thënë Metaj në gjykatë.

Prokurorët e çështjes bëhet me dije se kanë dyshime të përfshirjes së Gëzim Çelës edhe në tentativën për të trafikuar një sasi prej 41.7 kg heroinë, e cila u kap më 1 prill 2023 në afërsi të Rinasit. Në atë periudhë u arrestua 31-vjeçari Armando Papa, kurse shoqëruesi u largua. Papa dyshohet se ishte pjesë e të njëjtit grup kriminal që kryesohej nga Çela dhe droga e ardhur nga Turqia.

Nga 4 urdhër-arreste të firmosura dhe nga GJKKO, policia ekzekutoi vetëm 1, atë të shefit të komisariatit Kurbin, Dritan Metaj. 3 të tjerët, Gëzim Çelaj, Arben Dalipaj dhe Roland Guza, rezultojnë të jenë larguar nga vendi pas operacionit “Flakë në Det”.