Aksidenti te diga e Liqenit në Tiranë, Emiljano Nina: Kisha pirë tullumbace me azot! Isha me 180 km/h
Ka zgjatur afro dy muaj arratia e Emiljano Ninës, kushëririt të ish-bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, që shkaktoi aksidentin e frikshëm me automjetin që përfundoi te Diga e Liqenit më 22 gusht të këtij viti. 28-vjeçari u arrestua nga efektivët e policisë në banesën e tij në zonën e 5 majit në Tiranë.
Tashmë i vënë në pranga, efektivëve u dëshmoi se ishte duke udhëtuar me 180 km/h dhe se ka humbur arsyen në një moment duke mos kontrolluar dot automjetin, pasi thotë se kishte pirë tullumbace me oksid azoti, lëndën e rrezikshme që autoritetet në Shqipëri po përpiqen të gjejnë hapësirat ligjore për ta ndaluar.
Emiljano Nina kishte arsye të largohej ditën e aksidentit dhe ta braktiste automjetin me të cilin me shpejtësi të madhe ngjiti skarpatën te liqeni dhe u përplas me bordurën në shëtitore në orët e para të mëngjesit, ku fatmirësisht nuk kishte shumë lëvizje në zonë. Policia e kishte në listën e personave të shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me 8 muaj burgim për dhunë në familje.