Afera ‘Partizani’/ GJKKO bindet nga Jamarbër Malltezi, i ndryshon masën e sigurisë
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur sot të ndryshojë masën e sigurisë ndaj Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është nën hetim për përfshirje në aferën e njohur si “Partizani”.
Malltezi ka ofruar garanci pasurore prej 30 mijë euro, ku prej 2 vitesh ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Pas paraqitjes së argumenteve nga avokatët mbrojtës dhe vetë Malltezi, GJKKO është bindur se kushtet për masën aktuale të sigurisë kanë ndryshuar. Në vendim thuhet se gjykata ka marrë në konsideratë faktin se nuk ekziston më rreziku për prishje të provave apo largim nga drejtësia.
Malltezi sulmoi drejtësinë duke deklaruar se gjithçka ishte një urdhër politik i Edi Ramës.
“Kemi zëvendësimin e masës me garanci pasurore. Ka mbi 20 muaj që kjo ishte një farsë politike, ishte një urdhër politik. Nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, por me një shtet që lufton armiqtë e PS. Vendimi i sotëm vjen pas 20 muajsh privim lirie thjesht me një urdhër politik të Edi Ramës. E mbani mend se si në Kongresin e PS Edi Rama urdhëroi SPAK të procedojë penalishët Sali Berishën, të njëjtën gjë e kërkoi edhe ambasadorja e korruptuar amerikane si Yuri Kim. Prandaj kemi të bëjmë me një proces politik,” deklaroi Malltezi.
NJOFTIMI I PLOTE:
Kërkuesi Jamarbër Malltezi me datë 17.06.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën
me objekt: “
1. Revokimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” caktuar me
vendimin nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar;
2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arresti në shtëpi”
caktuar me vendimin nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit “Garancia pasurore”
parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj
dhe Bib Ndreca, bazuar në nenet 112, 260, 236 dhe 237 të K.Pr.Penale, me vendimin nr.
404, datë 07.07.2025, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës për revokimin e masës së sigurimit.
2. Pranimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Arresti në shtëpi” të caktuar ndaj të pandehurit Jamarbër Malltezi
me vendimin Nr.56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zëvendësimin me masën e sigurimit
personal “Garancia pasurore”, e parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale, në
shumën prej 3,000,000 lekë, për të siguruar moslargimin e shtetasit Jamarbër
Malltezi deri në përfundimin e gjykimit.
3. Garancia pasurore duhet të depozitohet brenda afatit 2 ditor, duke filluar ky afat
nga shpallja e këtij vendimi. I pandehuri Jamarbër Malltezi do të qëndrojë me
masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” deri në depozitimin e garancisë pasurore.
Pas depozitimit të shumës përkatëse duhet të njoftohet menjëherë prokurori, i cili
në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së
garancisë pasurore, duhet të verifikojë dokumentacionin përkatës dhe sipas rastit
të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të pandehurit ose konfirmimin e masës së
sigurimit “Arresti në shtëpi”.
4. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës kërkuese.
5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e
nesërmja e komunikimit të vendimit.