A do të ekstradohet Dritan Goxhaj? Gjykata mban sot seancën për ish-ushtarin e UÇK-së të kërkuar nga Haga
Ditën e sotme mbahet seanca gjyqësore për ekstradimin ose jo të ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Dritan Goxhaj. Seanca në ngarkim të tij pritet të nisë mesditën e sotme. Avokatët mbrojtës do t’i paraqesin gjykatës arsyet se pse nuk duhet të ekstradohet Dritan Goxhaj.
Në seancën e kaluar, avokati i tij Ardian Visha e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e tij. Ai u arrestua më 31 korrik të këtij viti me urdhër të gjykatës speciale, me pretendimin se ka publikuar emrat e disa dëshmitarëve në një proces, që po zhvillohet nga kjo gjykata speciale.
Ai mund të ekstradohet drejt Hagës, edhe pse fillimisht kanë qenë autoritetet kosovare që kanë kërkuar ekstradimin e tij, por me kërkesë të Holandës.

Një tjetër argument i avokatit Vishaj është se publikimi në “Facebook” i emrave të personave që janë dëshmitarë në një proces në Gjykatën Speciale nuk mund të cilësohet si vepër penale dhe për këtë arsye klienti i tij duhet të lirohet menjëherë.
Gazetari i ABC News Ermal Vija, i cili po e ndjek këtë proces, raporton se disa qytetarë, në shenjë mbështetje dhe me pankarta në duar janë mbledhur para ambienteve të Gjykatës Penale duke bërë thirrje që Dritan Goxhaj të mos ekstradohet.
Pasi gjykata të dëgjojë pretendimet e palës mbrojtëse pritet të marrë një vendin në lidhje me ekstradimin ose jo të ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Dritan Goxhaj.