A do ekstradohet Dritan Goxhaj? Ja çfarë synojnë avokatët

Avokatët e Dritan Goxhajt ankimojnë vendimin e datës  19 shtator  të Gjykatës Penale, që lejoi dërgimin e Goxhajt në Gjykatën Speciale. Ish-ushtari i UÇK akuzohet për nxjerrjen e të dhënave të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë. Mbrojtja e Dritan Goxhajt e ka bazuar ankimin në 3 pika, dhe konkretisht e konsideron çështjen me natyrë politike.

 

Mbrojta pretendon se mungon nënshkrimi i ministrit të drejtësisë së Kosovës për ti hapur rrugë ekstradimit dhe së fundmi kundërshtohet ekstradimi drejt Hollandës, duke e konsideruar si një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje. Në Hollandë ndodhet Gjykata Speciale e Kosovës.

 

Dritan Goxhaj u arrestua në fund të korrikut që kaloi në Tiranë dhe do vijojë të mbahet në qeli në vendin tonë deri në një vendim të formës së prerë. Bashkëpunëtori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kundërshtuar vazhdimisht akuzën me thirrjen ndaj autoriteteve shqiptare që të mos e lejojnë ekstradimin e tij. Pas gjykimit në të tre shkallët e gjyqësorit, fjalën e fundit për këtë ccështje do ta thotë Ministria e Drejtësisë.