6 të arrestuar nga operacioni antidrogë/ Policia jep detaje: U sekuestruan 23 kg kanabis, 45 mijë euro dhe dy armë zjarri
Policia ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka dhënë detaje për operacionin ndërkombëtar antidrogë, të kryer në bashkëpunim me Guardia di Financa dhe DEA-n amerikane. Zëvendës drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, Sokol Bizhga theksoi se janë sekuestruar 23 kg lëndë narkotike.
Bizhga shtoi se droga është gjetur pranë vendit ku është djegur veliera që vinte nga Mali i Zi, në të cilën ndodheshin dy shtetas ukrainas.
Janë sekuestruar gjithashtu 45 mijë euro si edhe dy armë zjarri. Bizhga theksoi se droga e kapur në vendin ku u dogj veliera kishte destinacion ndërkombëtar.
“Një mjet lundrues veliera, ku ndodheshin dy trafikantë të huaj, në momentin kur u rrethuan nga mjetet lundruese të policisë së shtetit dhe të Guarda di Financas, i është vënë flaka për të djegur sendet e paligjshme që ndodheshin në të. Në këtë operacion u sekuestruan dy armë zjarri, 200 fishekë luftarakë kalibër 9 dhe model 54, një automjet Audi, katër aparate DVR për pamjet filmike si dhe vlera monetare: 45 mijë euro, 2.5 milion lekë të vjetra, 500 paund, 50 franga zvicerane, 2 mijë lira turke.”, theksoi ai.

Sakaq, më herët gazetarja raportoi se katër gomonet e bllokuara janë nisur rreth orës 19:00 të pasdites nga Patoku ndërsa veliera me flamur ukrainas ishte nisur nga Mali i Zi.
Në pranga kanë rënë deri më tani gjashtë persona, në mesin e të cilëve është edhe ish efektivi Arlind Ismailuka.