4 ditë para zgjedhjeve/ Digjet makina e kandidatit të PS për Bashkinë Has
TIRANË– Kandidatit të PS në Bashkinë e Hasit, Beqir Mulaj i është djegur makina brenda garazhit të tij. Ky i fundit ka dhënë një intervistë për Euronews Albania, ku u shpreh se ngjarja ka ndodhur në mesnatë dhe lajmin e ka marrë nëpërmjet një telefonate.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:00. Jam telefonuar përmes telefonit, kam shkuar në vendngjarje dhe kam parë që makina po digjet. Menjëherë ka ardhur policia dhe zjarrfikësja dhe kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Po bëhet ekspertiza në lidhje me ngjarjen. Kam pasur tensione në fushatë me rivalitetin por nuk mund ta lidh ngjarjen me këtë. Automjeti ishte i parkuar prej tre vitesh. Ambienti ku ishte i parkuar makina ishte magazina”– tha ai.
Gjatë natës është djegur makina e kandidatit socialist për kryebashkiak në Has, Beqir Mulaj. Makinës i është vënë zjarri, dyshohet qëllimisht në parkingun e banesës, e cila ndodhet rpanë aksit ‘Krume-Golaj’.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja është e qëllimshme dhe vjen vetëm 4 ditë përpara zgjedhjeve lokale të së dielës.
NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës 00:04, salla operative e Komisariatit të Policisë Has është njoftuar se ka rënë zjarr në garazhin në pronësi të shtetasit B. M., në aksin rrugor “Krume-Golaj”. Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku është bërë i mundur neutralizimi i flakëve, me qëllim mospërhapjen e zjarrit.
Si pasojë e flakëve, është djegur plotësisht automjeti në pronësi të shtetasit B. M. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, vijon veprimet hetimore, me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit