‘Përgjakja e Tiranës’ Ja çfarë e lidhte Edmond Papën me Aleksandër Sadikajn
Mund të konsiderohet si një nga ngjarjet e zbardhura në kohë rekord, vrasja e ndodhur mbrëmjen e 16 dhjetorit në zonën e Komunës së Parisit, ku viktimë mbeti 49-vjeçari, Edmond Papa. Ajo që mund të thuhet në këtë rast është se autorët që kryen krimin nuk ishin profesionistë. Kjo del në pah për shkak të gabimeve që kanë bërë para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale.
Kanë qenë detajet e tipareve të fytyrës ato që kanë identifikuar dy të përfshirët në ngjarje, Albano Velo dhe Andrew Bode. Blindimi i Tiranës dhe rrugëve të tjera hyrëse e dalëse të saj me kamera sigurie, iu ka ardhur në ndihmë hetuesve për të zbardhur të gjithë dinamikën e kësaj ngjarjeje kriminale.
Por le të fokusohemi pak tek ajo se çfarë dërgoi në përgjakje mes disa personash, që sipas burimeve koefidenciale, dikur kanë qenë ‘shokë’. Ose thënë më mirë, bashkëpunëtorë. Më 14 qershor 2022, ditën për diell, në një zonë ku lëvizjet janë massive, një shpërthim me tritol trondit kryeqytetin. Viktimë mbeti një 27-vjeçar, Aleksandër Sadikaj. Një emër shumë pak i përfolur në botën e krimit, por jo i panjohur për blutë. Për muaj me radhë, zbulimi i autorëve të kësaj vrasjeje makabër ishte i pamundur.
Deri sa u vra po në një zonë të populluar, një emër që sërish kishte qëndruar po aq në heshtje, të paktën mediatikisht, por jo për drejtësinë, Edmond Papa. Ekszekutimi i tij, hodhi dritë mbi një miqësi të hershme mes Papës dhe Sadikajt. Me një diferencë të madhe moshe, që në fakt të çon të ngresh dyshime të arsyeshme se çfarë i lidh këta dy persona.
Është shumë e thjeshtë, vetëm falë një kërkimi në regjistra të gjendjes civile, të bëra nga ‘replika.al’, Aleksandër Sadikaj, rezulton të jetë nipi i Tiku Kalemit, një emër tejet i lakuar në fushën e lëndëve narkotike dhe jo vetëm.
Burime koefidenciale bëjnë me dije se ai është edhe ura lidhëse mes Sadikajt dhe Papës. Dhe shkak i konfliktit mes tyre të jetë pikërisht një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, e padërguar në destinacion. Për më tepër, paratë e ngarkesës nuk u morën kurrë.
Këtu tentakulat shtrihen deri në shtetin grek, atje ku operonin një grup shqiptarësh, të lidhur mjaft ngushtë me treshen Papa-Kalemi-Sadikaj. Sot që flasim, konflikti ka marrë përmasa të gjera, gjë që çon pashmangshmërisht në një vazhdim përplasjesh.
Aida Topalli
*Ky është artikull ekskluziv i “Replika.al” që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Replika.al” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.