13 kg heroinë në autobusin e linjës Durrës-Milano

Dy persona u arrestuan dje nga policia në Portin e Durrësit, pas zbulimit të më shumë se 13 kg heroine të fshehura në autobusin me destinacion Italinë.

Në pranga kanë rënë Mikel Pici, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano” dhe Piro Rushi, 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Burime bëjnë me dije se lënda narkotike ishte fshehur në pjesën e sipërme metalike në mes të autobusit, ku ngarkohen bagazhet dhe ishte salduar në skajet e saj për të mos u dalluar. Droga u zbulua nga qentë e stërvitur të cilët kanë nuhatur dhe zbuluar vendndodhjen duke bërë që të niste menjëherë prerja e pjesës metalike për të ushtruar kontrolle në strukturën e autobusit ku edhe u gjend lënda narkotike.

 Shoferi ka deklaruar se nuk ka informacion për lëndën narkotike dhe se nuk ka të bëjë me të. Po ashtu edhe pronari i linjës nuk ka pranuar të ketë lidhje me ngjarjen.