Vrasja misterioze e 19-vjeçarit në Vushtrri, familja e tronditur: Nuk e njohim autorin, s’kemi…

Një 19-vjeçar, Ardit Zymeri, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës (23 mars) në qytetin e Vushtrrisë, Kosovë. Policia arrestoi pak orë më vonë autorin e dyshuar, i cili ka pranuar fajësinë.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas Policisë së Kosovës, vrasja ndodhi në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, ku i dyshuari qëlloi me armë zjarri ndaj 19-vjeçarit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Viktima u dërgua në Spitalin e Vushtrrisë, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, konfirmoi se autori është ndaluar për 48 orë me akuzën e “vrasjes së rëndë” dhe ka pranuar fajësinë gjatë dhënies së deklaratës.

Policia ka gjetur tre gëzhoja dhe ka sekuestruar një revole të dyshuar si arma e krimit. Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, është gjetur edhe një armë e gjatë me pesë fishekë, e cila është konfiskuar.

Familja e viktimës: “Nuk e njohim autorin”

Motivet e vrasjes mbeten ende të paqarta. Xhaxhai i viktimës, Nysret Zymeri, tha për mediat se familja nuk ka pasur konflikte dhe nuk e njeh autorin e vrasjes.

“Nuk e dimë se si ka ndodhur. Të keqe nuk kemi pasur me askënd. Nuk kemi pasur me njeri të gjallë asnjë fjalë të keqe. Ne nuk e kemi pritur… Kjo na ka ndodhur, informatën e kemi marrë mbrëmë, nuk e kemi njohur autorin, as tani nuk e njohim”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Prokuroria e Mitrovicës ka bërë të ditur se do të kërkojë nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, ndërsa hetimet për zbardhjen e motiveve të ngjarjes vijojnë.