Vendimi i Speciales, reagon VV-ja: E mbrojmë luftën çlirimtare, drejtësia nuk mund të jetë mjet për të rishkruar historinë!

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër në prag të 10-vjetorit të themelimit të Gjykatës Speciale, duke e konsideruar atë si një instrument të padrejtë dhe selektiv, i cili sfidon drejtësinë dhe sovranitetin e Kosovës, raporton GazetaBlic.

Në një deklaratë zyrtare, VV kërkon reflektim nga ata që e kanë mbështetur themelimin e kësaj gjykate dhe u kërkon falje për dëmin institucional dhe moral që sipas tyre është shkaktuar gjatë këtyre viteve.

“Katër nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli – janë në paraburgim prej afro pesë vitesh. Vendimi për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes nga Gjykata Speciale dëshmon për një drejtësi të përmbysur, ku përpjekja e popullit për liri vihet nën dyshim përmes mjeteve juridike,” thuhet në deklaratë.

Vetëvendosje kritikon ashpër faktin që Gjykata Speciale ka vepruar si një instrument i imponuar mbi sovranitetin e Kosovës dhe akuzon këtë institucion për hetime selektive, duke lënë jashtë përgjegjësisë dhunën shtetërore serbe që ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Lëvizja thekson se momenti i sotëm është një rast për reflektim për ata që kanë miratuar dhe mbështetur themelimin e kësaj gjykate, duke i kërkuar atyre të kërkojnë falje jo si formalitet, por si akt vetëdijeje për dëmin e madh institucional dhe moral që i është shkaktuar Kosovës.

Në fund, Vetëvendosje riafirmon mbështetjen e saj për luftën çlirimtare dhe kundërshton çdo përpjekje për relativizimin e së drejtës historike të Kosovës për liri, duke theksuar se drejtësia nuk duhet të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të heshtur të vërtetën.