Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për të hequr nga aktakuza rastet që, sipas tyre, janë zhvilluar jashtë periudhës së konfliktit të armatosur në Kosovë.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, deklaroi se përjashtimi i ngjarjeve që ndodhen para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta “fragmentonte gjykimin në tërësi” dhe do të cënonte koherencën e procesit gjyqësor.
Sipas vendimit të gjykatës, nuk ekziston asnjë bazë ligjore për të rrëzuar ndonjë pjesë të aktakuzës. Gjykatësi Smith shtoi se rregullat gjyqësore të Dhomave të Specializuara nuk parashikojnë mundësinë për të kundërshtuar pika të veçanta të aktakuzës në këtë fazë, siç kishte bërë mbrojtja.
Me këtë vendim, aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit mbetet plotësisht në fuqi. Një vendim ndryshe nga ky do të kishte pasur ndikim të rëndësishëm në rrjedhën e mëtejshme të procesit.
Seancat gjyqësore po zhvillohen me dyer të mbyllura për publikun, ku po dëgjohen dëshmitarët e thirrur nga prokuroria. Katër të pandehurit ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020 dhe po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.