Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka vlerësuar legjitime veprimet e Policisë së Kosovës, e cila, më 26 maj, u ka mundësuar kryetarëve të rinj të komunave veriore – Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – të hyjnë në objektet e zyrave komunale.
“Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.
Një ditë më herët, ata u betuan në shkolla e ndërtesa të tjera publike të këtyre komunave, për shkaqe sigurie.
Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.
Veprimet e autoriteteve të Kosovës në komunat në veri i ka dënuar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.