‘Le Monde’ e ashpër me Kurtin: Kryeministër jofleksibil


Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” ka publikuar një artikull ku trajton zhvillimet aktuale në veri të Kosovës dhe reagimet ndërkombëtare ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Përkundër presionit të madh perëndimor, aty thuhet se Kurti vazhdon të hezitojë të organizojë zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit, pavarësisht se po përballet me presionin në rritje nga fuqitë perëndimore. Në këtë shkrim, Kurti kritikohet ashpër për ‘heshtjen’ ndaj thirrjeve perëndimore duke rrezikuar kështu konfrontimin me aleatët më të mëdhenj të Kosovës.

Gazeta e njohur franceze e nisë artikullin me titull “Albin Kurti, kryeministri jo fleksibil i Kosovës”. Ndërsa në nëntitull thuhet se pavarësisht presionit të madh ndërkombëtarë, kryeministri Kurti “heziton të organizojë zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të vendit”. “Me gjithë presionin perëndimor, kreu i qeverisë kosovare heziton të organizojë zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.” Le Monde fokusohet në heshtjen e Kurtit i cili ende nuk ka dhënë një afat kohor të qartë për zgjedhjet e reja në katër komunat e veriut të Kosovës.
“Albin Kurti mund t’i përgjigjet një pyetjeje të përsëritur tre herë me një jo të thjeshtë, pa thirrje, pastaj të shpalosë mesazhin e tij pa ju dëgjuar më, duke ditur të qëndrojë i qetë, i sjellshëm dhe thellësisht jofleksibil”, – shkruan ‘Le Monde’.