Kuvendi i bllokuar, pagat ecin! Demi: Mbi 1 milion euro janë shpenzuar për 120 “badihavgji” për 4 orë punë
Bllokada në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që tashmë ka hyrë në muajin e katërt po vazhdon të shkaktojë kosto të larta për buxhetin e shtetit, ndërsa reagimet nga shoqëria civile nuk mungojnë.
Agron Demi nga Atlas Institute ka kritikuar ashpër këtë situatë, duke theksuar se deri tani janë harxhuar mbi 1 milion euro nga paratë e taksapaguesve për paga të deputetëve që nuk po kryejnë asnjë funksion parlamentar.
“Tash që po shkon edhe korriku pa u konstituu Kuvendi, na si taksapagues kemi shpenzu mbi 1 milion euro për pagat e këtyre 120 badihavgjive,” ka shkruar Demi në një postim në Facebook.
Ai ka publikuar edhe të dhëna specifike për shpenzimet mujore të Kuvendit.
“Brenda muajit maj janë shpenzu 235 mijë euro për pagat e 103 deputetëve. 17 deputetë që vazhdojnë me qenë në Qeveri kanë vendosë me ju përkushtu benefiteve më të majme që ofron ekzekutivi”, ka shkruar Demi.
Sipas tij, paga bazë e një deputeti është 1,859 euro, por ajo rritet në bazë të përvojës.
“Për shembull, në muajin maj ka deputetë që i kanë marrë mbi 2,600 euro edhe për të hyrat retroaktive,” shkruan ai.
Në të njëjtin postim, Demi vë në pah absurditetin e situatës.
“Një seancë po zgjatë rreth 5 minuta mesatarisht. 46 seanca të dështume, deputetët maksimum prej prillit kanë punu 4 orë. E për këto 4 orë i kanë marr deri tash rreth 7 mijë euro”, shprehet Demi.
Demi drejton një thirrje kritike ndaj votuesve, duke ironizuar me faktin që deputetët nuk po përballen me pasoja.
“Emrat nuk po i qes këtu, ngase të gjithë e dini se kush është deputet/e e kënd e keni votu. Tash, ti që merr pagë minimale, e për të njëjtën kohë je me fat nëse ke punu 12 orë në ditë e i ke marr 1,000 euro, herën tjetër dil e votoi prapë të njëjtit”, ka shkruar Demi.