Kosova kërkesë zyrtare Serbisë për fatin e të zhdukurve


Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti sot ka bërë të ditur se i ka drejtuar Serbisë një shkresë për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Hoti ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë ka kërkuar të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave.
Ai ka shtuar se shkresa e parë ka nisur me Drenicën, sepse siç ka shkruar ai, në Drenicë, Serbia ka filluar krimet masive ndaj popullit të Kosovës.

“Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës.

Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës.

Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur. Natyrisht që shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar”, ka shkruar Hoti në Facebook.