Takimi i thirrur nga i dërguari evropian për bisedimet Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak midis Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë, thotë për Zërin e Amerikës i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
Në një intervistë për Shefin e Shërbimit Shqip Arben Xhixho, zoti Escobar po ashtu kundërshton propozimin e zotit Kurti, që për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, palët të bien dakort paraprakisht për vijat e përgjithshme të tij, para se Prishtina të paraqesë një projekt konkret.
Zëri i Amerikës: Situata në Kosovë po shkon nga përshkallëzimi në përshkallëzim. Si do të veprohet më tej?
Gabriel Escobar: Duhet të punojmë menjëherë për një plan uljeje të tensioneve. Bashkimi Evropian ka paraqitur tashmë një plan me tre pika, pra që kryetarët të dalin nga godina, KFOR-i të marrë përsipër sigurinë e ndërtesave, protestuesit të largohen, personat që sulmuan policinë dhe gazetarët të mbahen përgjegjës, dhe të thirren zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e serbëve pa asnjë parakusht dhe rikthim i menjëhershëm tek dialogu.