Dy orë seanca, mbi 230 mijë euro paga për deputetët e Kosovës

1 mijë e 859 euro është paga e një deputeti, të cilën të gjithë e kanë marr brenda një muaji kur në fakt në Kuvend kanë kryer punë minimale, pjesëmarrje në seanca dy minutëshe. Përveç pagës bazë disa prej tyre u paguan edhe për gjysmën e prillit e për përvojën e tyre.

Kjo ka qenë koha më e madhe për çka e kanë shpenzuar të zgjedhurit e popullit, deputetët e Kuvendit të Kosovës. Që nga 15 prilli deri më 31 maj, janë mbledhur 24 herë, disa prej tyre edhe më pak sepse munguan në shumë seanca.

Ky institucion i ka ofruar informacionet për periudhën 15 prill deri më 13 maj. Pagat janë të majme. Me gjithë ankesat pas seancave se gjithçka është kthyer në absurditet, asnjëri prej 120 deputetëve nuk ka hequr dorë nga paga. Për 16 paraqitje, që në total nuk janë as dy orë të plota brenda muajit maj, 1 orë e 40 minuta,  deputetët në total morën 230 mijë euro ose diku rreth 1860 euro secili.

Ndërkohë, edhe në muajin prill, 48 deputetë të Kuvendit kishin marr pagën kalimtare, e që për ta ishin shpenzuar 95 mijë e 633 euro. Më 30 qershor janë ekzekutuar edhe pagat e këtij muaji, që rrjedhimisht edhe mbi 230 mijë euro të tjera, janë shpenzuar për deputetët që për çdo 48 ore, mblidhen për të vazhduar seancën konstituive por që nuk po ia dalin të e çojnë në fund.

Kështu, në total që nga 15 prilli deri më 30 qershor, buxhetit të shtetit, pagat e deputetëve, pa 17 anëtarët e Qeverisë, i kushtuan mbi gjysmë milioni euro, ose 555 mijë e 633 euro.