Akuzohet për krime lufte në Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj një shqiptari
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi shqiptar, M.I., nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Sipas njoftimit zyrtar, i akuzuari dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me forcat policore serbe në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës. Ai akuzohet për vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime të popullsisë shqiptare gjatë konfliktit.
Meqenëse i pandehuri ndodhet në arrati, prokuroria ka kërkuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, një praktikë e mundësuar nga ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës në vitin 2022.
Ky rast vjen pas një tjetër vendimi të rëndësishëm në dhjetor të vitit të kaluar, kur Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi në mungesë serbin Çedomir Aksiq me 15 vjet burg për krime lufte kundër civilëve shqiptarë në komunën e Shtimes.
Autoritetet kosovare po intensifikojnë përpjekjet për të sjellë para drejtësisë personat e dyshuar për krime lufte, pavarësisht nëse ata ndodhen në vend apo jashtë tij.