Aksion masiv në 21 lokacione, goditet grupi i kontrabandës së armëve dhe municionit në Mitrovicë (DETAJET)

Ka përfunduar aksioni i Policisë së Kosovës që kishte nisur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në jug dhe veri të Mitrovicës.

Aksioni kishte të bënte me kontrabandim të armëve dhe municionit. Si rrjedhojë e këtij aksioni 16 persona janë shoqëruar në polici, ku 13 prej tyre janë ndaluar për 48 orë.

Aksioni është zhvilluar në 21 lokacione në jug dhe veri të Mitrovicës, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.

Të arrestuarit dyshohen për vepra të ndryshme penale si “detyrim”, “import e eksport”, “furnizim e transportim”, e deri tek “shitja e paautorizuar e armëve”.

NJOFTIMI I POLICISË:

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mbështetura nga njësi relevante policore dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 19.03.2025, pas hetimeve disa mujore, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq”.Gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.

“Pas intervistimit lidhur me rastin, me vendim të prokurorit, 13 persona shkojnë në ndalim prej 48 orësh”, ka njoftuar policia