TikToker-i i famshëm prangoset për shantazh

Një 42-vjeçar i njohur në rrjetin social TikTok, i identifikuar si X.B., është arrestuar nga autoritetet greke si pjesë e një operacioni të gjerë kundër zhvatjes në sektorin e transportit në Atikën Perëndimore.

Ai akuzohet si pjesë e një grupi kriminal që vepronte në mënyrë të strukturuar dhe të dhunshme, duke ushtruar presion dhe kërcënime ndaj punëtorëve dhe pronarëve të kompanive transportuese. Sipas Policisë, operacioni u realizua të enjten, më 10 korrik 2025, kur X.B. u lokalizua dhe arrestua. Gjatë momentit të ndalimit, ai kundërshtoi ashpër forcat e rendit, duke goditur oficerët e policisë.

Hetimet zbuluan një skemë zhvatjeje të organizuar, e krahasueshme me veprimtarinë e mafies, ku X.B., së bashku me një tjetër 42-vjeçar dhe një 47-vjeçar bashkëpronar i një kompanie transporti, përdornin dhunë dhe shantazh për të detyruar punonjës të ktheheshin në punë me kushte më të këqija dhe paga më të ulëta, pasi u larguan për shkak të borxheve që kompania kishte ndaj tyre – rreth 36,000 euro.

Sipas të dhënave të hetimit, në një rast, viktimat ishin dy ish-punonjës që kërkuan punë në kompani të tjera, ndërsa grupi u përpoq me forcë dhe kërcënime të ndalonte bashkëpunimin e tyre me kompanitë e reja. Në një rast, një pronar transporti refuzoi t’i nënshtrohej presionit të grupit, duke shmangur një tjetër rast të suksesshëm zhvatjeje.

Dosja penale e përgatitur përfshin akuza për zhvatje të kryer dhe të tentuar, dhunë ndaj punonjësve, pranimin e produkteve të krimit dhe shkelje të ligjit për armët. Përveç X.B., nën hetim janë edhe dy të dyshuar të tjerë, një 42-vjeçar dhe një 47-vjeçar, të gjithë shtetas grekë.

Policia greke theksoi se hetimi vazhdon për të zbuluar të gjitha lidhjet dhe aktivitetet e këtij grupi, ndërsa pritet që çështja të kalojë për ndjekje të mëtejshme penale nga autoritetet kompetente.