Pastrimi i parave, DPPPP referoi 19 raste në Tatime për evazion dhe 95 në SHISH

Puna për të evidentuar rastet e dyshimta të pastrimit të parave përfshin një sërë hallkash institucionale me të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave bashkëpunon.

Në vitin 2022 shumica e rasteve të dyshimta sikurse çdo vit është raportuar tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit por nuk kanë munguar as bashkëpunimet me institucione të tjera të tilla si Tatimet apo Shërbimi Informativ i Shtetit.

Në raportin e vitit të shkuar DPPPP raporton se ka referuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të paktën 19 raste të dyshuara për evazion.

“Vlen të përmendet se pesha më e madhe të rasteve të dërguara nga DPPPP i janë adresuar DPPSH, si organi ligj zbatues kryesor në vend dhe i specializuar për kryerjen e veprimeve hetimore.

 

 

Krahas dërgimit të rasteve në Prokurori dhe Polici gjatë vitit 2022 ka patur edhe 19 raste të dërguara në DPT të konkluduara me dyshime për evazion fiskal/fshehje të ardhurash apo shkelje të tjera të legjislacionit tatimor.

Në këtë kontekst gjatë vitit 2022, DPPPP ka dërguar 95 informacione në SHISH në lidhje me çështjet të dyshuara për aktivitet kriminal, objekt i përbashkët interesi mes dy institucioneve.

Përveç dërgimit të rasteve të reja, me rëndësi mbeten edhe informacionet vijuese apo të dhënat e reja të lidhura me çështje të dërguara më herët, të cilat konfirmojnë dhe thellojnë dyshimet e konstatuara për këto raste” thuhet në raport.