Pabarazia gjinore në skemën e pensionit, ndërprerja e karrierës, ndëshkim për gratë

NGA: Elisa Karaj

Edhe pse gratë në Shqipëri dalin më herët në pension se burrat, në vitin 2025 mosha e daljes në pension për to është 61 vjeç dhe kërkohet një vjetërsi pune prej 38 vitesh vjetërsi, ato përfitojnë më pak nga skema e pensioneve. Koeficienti i të ardhurave që ato marrin në pension është ndjeshëm më i ulët se sa ai i burrave.  Ky hendek rrjedh kryesisht nga ndërprerjet në karrierë për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve dhe familjes, momente që nuk njihen plotësisht si periudha kontributi nga skema zyrtare.

Nafije Haldeda, nëna e 8 fëmijëve, merr aktualisht një pension të pjesshëm prej 12,000 lekësh pasi punoi në kooperativat bujqësore që prej moshës 16 vjeccare. “Pas rënies së regjimit komunist, kooperativat u shpërbëne, dhe ne u shpërngulëm nga Dibra drejt Tiranës. Në atë kohë sapo kisha lindur fëmijën e fundit, dhe në Tiranë nuk munda të punoj më, dhe vetëm kujdesesha për familjen. Në këtë mënyrë nuk munda të plotësoj vitet e plota për një pension të plotë”- shprehet pensionistja, Nafije Haldeda.

Një nga fenomenet më të përhapura që thellon pabarazinë në skemën e pensioneve në Shqipëri është puna në bujqësi, shpesh informale dhe pa kontrata. Për shumë gra, veçanërisht në zonat rurale, vitet e tëra të punës në fermë nuk njihen si vite kontributi, duke ndikuar drejtpërdrejt në pensionin që marrin sot.

“Kam punuar në kooperativë, si të gjithë shqiptarët e detyruar nga regjimi komunist. Por sapo ra regjimi, vijova të punoja në bujqësi në mënyrë informale. Bashkëshorti nuk donte që të punoja diku tjetër. Shisnim prodhimet brenda fshatit dhe gjithçka dukej në rregull” – tregon Safije Doçi.

Sot, në mungesë të dokumentacionit dhe viteve të njohura pune, shumë prej këtyre grave përballen me pensione minimale, që nuk mbulojnë nevojat bazë të jetesës.

“Tani marr vetëm 15,000 lekë pension në muaj sepse nuk kam plotësuar vitet për pension të plotë. Do doja të mund të na njiheshin edhe kontributet e bëra për familjen pasi ne na ndihmojnë fëmijët me të ardhurat pasi pensioni nuk na mjafton” – thotë pensionistja Safije Doçi.

Po ashtu një nga arsyet më të zakonshme që ndikon në pjesëmarrjen më të ulët të grave në tregun formal të punës në Shqipëri lidhet me faktorë kulturorë dhe tradicionalë. Stereotipi i njohur i “burrit si mbajtësi i familjes” ka qenë i pranishëm për breza me radhë dhe vazhdon të ndikojë ndarjen e roleve brenda familjes. Një rol ky që buron nga norma patriarkale dhe nënkupton se burri është përgjegjës për sigurimin financiar, marrjen e vendimeve dhe mbrojtjen e familjes.

A mund të jetë pensioni privat një rrugëdalje?

Skema e pensioneve në Shqipëri po përballet prej vitesh me sfida serioze, të lidhura ngushtë me papunësinë, informalitetin dhe mungesën e edukimit financiar. Ekspertë të ekonomisë theksojnë se kjo gjë që pritet të sjellë pasoja të rënda në të ardhmen për një numër të konsiderueshëm të moshuarish.

“Një pjesë e madhe e popullsisë në moshë pune nuk ka siguruar pension për shkak të papunësisë së lartë dhe informalitetit, duke bërë që shumë të moshuar të mos marrin pension fare në të ardhmen” – u shpreh ekpertja e ekonomisë, Eriola Hoxha, në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”. Sipas saj, skema aktuale ka përmbushur funksionet themelore gjatë periudhës së tranzicionit, por aktualisht po përballet me probleme strukturore që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Ndërsa Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri në një intervistë të dhënë për Revistën Monitor, sugjeroi nevojën për përmirësimin e edukimit pensional. “Fokusimi në përmirësimin dhe rikualifikimin e punëtorëve të moshuar, përmirësimi i përputhjes së vendeve të punës dhe reduktimi i paragjykimeve të punëdhënësve për punësimin e punëtorëve më të vjetër” – shprehet Salinas.

Të tjerë ekspertë të ekonomisë mendojnë se pensioni privat është domosdoshmëri, e mund të ndërthuret me skemën publike. Sipas tyre një tjeter pikë e rëndësishme është edukimit financiar për të inkurajuar qytetarët të investojnë në pensione private që nga fillimi i punës, duke siguruar një nivel më të lartë jetese në pension.