Java globale e parasë! Guvernatori Sejko: Rrisim edukimin financiar, sistemi i pagesave kurseu 100 milionë euro

Banka e Shqipërisë ka hapur Javën globale të parasë, një event që synon të promovojë edukimin financiar dhe përdorimin e sigurt të parasë. Gjatë ceremonisë, Guvernatori Gent Sejko theksoi rëndësinë e modernizimit të sistemit të pagesave dhe ndikimin pozitiv të tij në ekonominë e vendit.

“Vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë, konsumatorët dhe bizneset kanë kursyer rreth 700 milionë lekë që prej vitit 2020. Ndërsa operimi i sistemit AIPS Euro ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, që përllogariten rreth 100 milionë euro”, u shpreh Sejko.

Ai njoftoi gjithashtu ndërtimin e një sistemi të ri pagesash përmes celularit, që do të ofrojë një mënyrë më të shpejtë dhe të sigurt për kryerjen e transaksioneve.

Në kuadër të edukimit financiar, aktiviteti u shoqërua me një konkurs për fëmijët, ku ata prezantuan idetë e tyre mbi përdorimin e parasë. Për vitin 2025, tematika kryesore do të jetë kultura dhe menaxhimi i parasë, si dhe rreziqet financiare, për të ndihmuar të rinjtë në përdorimin e sigurt të tyre.

Banka e Shqipërisë bëri thirrje për kujdes ndaj mashtrimeve financiare, duke inkurajuar qytetarët të informohen nga burime të sigurta.