Hyn në fuqi ulja e çmimit të energjisë për familjet, përfitojnë mbi 1 milion abonentë

Nga sot, çmimi i energjisë për abonentët familjarë ndryshon sipas konsumit mujor. Familjet që konsumojnë deri në 700 kWh/muaj do të paguajnë 8.5 lekë për kWh, ndërsa ata që kalojnë këtë prag do të vazhdojnë të paguajnë 9.5 lekë për kWh.

Kjo ulje sjell një lehtësim financiar për familjet shqiptare. Për shembull, nëse deri tani një familje që konsumonte 700 kWh paguante 7980 lekë me TVSH, tashmë ajo do të paguajë 7140 lekë, duke kursyer 840 lekë. Pa TVSH, fatura për të njëjtën sasi konsumi zbret nga 6650 lekë në 5950 lekë, një ulje prej 700 lekësh.

Sipas të dhënave, nga kjo lehtësi përfitojnë mbi 1 milion familje që konsumojnë deri në 700 kWh në muaj.

Vendimi u miratua në janar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2025. Kryeministri Edi Rama theksoi se kjo masë nuk ka motive elektorale, por është pjesë e një plani më të gjerë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë deri në vitin 2030.