Biznesi/ Kërkesa në rritje për gjuhët e huaja, gjermanishtja e para

Biznesi që po lulëzon së fundmi në vendin tonë është ai i kurseve për mësimin e gjuhëve të huaja. Vetëm në kryeqytet numërohen më shumë se 150 qendra kursesh të tilla. Përhapja e bizneseve të përçimit të dijes tregon për kërkesat në rritje të mësimit të veçuar nga institucionet arsimore. Vendin e parë në hierarki e mban mësimi i gjuhës gjermane, trendi i së cilës mbështetet nga kërkesat për shkollim apo punësim në Gjermani.
Sipas Monitor disa qendrave të gjuhëve të huaja në kryeqytet, shumica e pjesëmarrësve janë të rinj, veçanërisht për gjuhën gjermane. Ndërsa gjuha angleze është më e kërkuar nga fëmijët e moshës 4-10 vjeç.
Sa u përket të rinjve, si rregull i përgjithshëm, ata kanë kualifikime të përfundimit të shkollës, shpesh diplomë universitare dhe duan të mësojnë gjermanisht në përgatitje për një punë, një praktikë ose studime.
Zakonisht studimi është një diplomë e dytë ose studim pasuniversitar. Disa duan të marrin doktoraturën në Gjermani, ose në një vend gjermanishtfolës, thonë përfaqësues të qendrave.
Çmimi për një orë mësimore ka arritur 3000 lekë për kurse individuale, një nivel i plotë bashkë me librat arrin 30.890 lekë për kurse individuale dhe 14.800 lekë në grup, sipas vëzhgimeve në treg që kreu “Monitor”.
Dritan Mezini, drejtues i platformës Duapunë, pohon për “Monitor” se kërkesat për studim apo punë jashtë kanë qenë shumë të preferuara vitet e fundit. Sipas tij, pavarësisht problematikave që lidhen me emigracionin, të rinjtë duhet të kenë mundësi që të dalin e të provojnë njohuritë edhe në mjedise jashtë vendit.
Ai përmend si një trend në rritje ofrimin e punëve në distancë, që mund të aplikohen lehtësisht tashmë në realitetin post-pandemik.
Përfaqësues të Ebla Education Center thonë se kërkesat për studim dhe punë në Gjermani janë dyfishuar në 5 vitet e fundit. Pavarësisht alternativave si Kanadaja apo edhe vende të tjera, interesi ka qenë më i lartë për shtetin gjerman. Programet më të kërkuara të studimit kanë qenë në fushën e mjekësisë dhe teknologjike.

Çmimet
Çmimi për një orë mësimore ka arritur 3000 lekë për kurse individuale, një nivel i plotë bashkë me librat arrin 30.890 lekë për kurse individuale dhe 14.800 lekë në grup, sipas vëzhgimeve në treg që kreu “Monitor”.

Mësimi i gjermanishtes për edukim
Sipas të dhënave të ofruara nga Departamenti i Gjuhës Gjermane, pranë Universitetit të Tiranës, në ciklin e parë të studimeve bachelor, kuota përfshin 490 studentë për gjuhën gjermane, ndërsa në ciklin e dytë të studimeve master, rreth 150 të tillë.
Sipas Prof. Mihallaq Zileshiu, profesor i gjuhës gjermane prej më shumë se dy dekadash në Departamentin e Gjermanishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, numri i studentëve që zgjedhin këtë degë studimi është në rritje.
Tendenca ndër vite, sipas profesorëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka qenë drejt anglishtes dhe italishtes. “Kuotat u shtuan para pesë viteve, duke marrë në konsideratë kërkesat në rritje të aplikimeve për gjuhë gjermane.
Është e thjeshtë, gjuha gjermane bëhet më shumë në shkolla të mesme, qoftë publike apo private; qendrat e gjuhës janë përhapur me shpejtësi, apo të rinjtë synojnë të punojnë edhe në Gjermani. Të gjitha këto arsye e kanë shndërruar gjuhën gjermane në zgjedhje të mirë si profesion”, – thotë prof.. Zileshiu.
Kërkesa
Dritan Mezini, drejtues i platformës Duapunë, pohon për “Monitor” se kërkesat për studim apo punë jashtë kanë qenë shumë të preferuara vitet e fundit. Sipas tij, pavarësisht problematikave që lidhen me emigracionin, të rinjtë duhet të kenë mundësi që të dalin e të provojnë njohuritë edhe në mjedise jashtë vendit. Ai përmend si një trend në rritje ofrimin e punëve në distancë, që mund të aplikohen lehtësisht tashmë në realitetin post-pandemik.

Tregu tërheqës gjerman
Duket sikur tregu gjerman i punës praktikisht i ka hapur dyert gjerësisht dhe çdo qytetar i interesuar do të mund të gjejë një punë sipas dëshirës së tij. Në datën 1 janar 2021 në Gjermani hynë në fuqi rregulla të reja në lidhje me punësimin.
Me anë të këtij ligji, Qeveria e Republikës Federale Gjermane ka bërë të mundur, edhe përtej vitit 2020, qasjen e privilegjuar në tregun gjerman të punës për shtetas nga Shqipëria (si dhe nga Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia). Zhvillimi i shpejtë i ekonomisë gjermane ishte një nga arsyet e miratimit të ligjit nga Bundestagu, i cili lehtëson shumë procesin e imigrimit në Gjermani të punëtorëve të kualifikuar nga vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian.
Sipas informacioneve të marra, për një sërë pozicionesh, mund të jepet një leje për të punësuar të huaj që nuk flasin gjermanisht, sipas gjykimit të punëdhënësit. Por, së pari, është një listë mjaft e ngushtë e profesioneve më të nevojshme. Dhe, së dyti, nuk po flasim për asnjë gjuhë botërore. Si shembull, ekspertët gjermanë citojnë kryesisht industrinë e IT. Është shumë e mundur të bëhet në anglisht.
Por, ky përjashtim në kërkesat e domosdoshme për gjuhën gjermane nuk do të zbatohet për profesionet që kërkojnë komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. As elektricisti, as hidrauliku nuk do të jenë në gjendje të kuptojnë kërkesat e klientit pa njohuri të gjuhës, ashtu sikurse profesione në shërbim si infermieri.

Mësimi i gjuhës për punësim
Gjermania është një vend i preferuar për studentët nga Shqipëria e Kosova, sipas të dhënave të DAAD (German Academic Exchange Service). Në vitin 2019, rezulton se Gjermania ka qenë vendi i parë i dëshiruar nga studentët shqiptarë, kryesisht për programe studimi të nivelit të dytë, ndërsa për Kosovën, më së shumti për programe studimi të nivelit të parë.
Gjithashtu për grupe të ndryshme profesionesh si p.sh. mjekë, infermierë, inxhinierë, informaticienë etj., Gjermania ofron mundësi joshëse punësimi. Në këtë drejtim kërkohet si kusht njohuria e gjuhës gjermane.
Alisa D. Është mësuese e gjuhës gjermane prej 10 vitesh në Tiranë, në një qendër private kursesh. Sipas saj, në dekadën e fundit shihet rritje e ndjeshme e interesit për gjuhën gjermane dhe për të gjitha shtetet gjermanisht folëse.
“Para shumë vitesh, tendenca më e dukshme ka qenë ajo e njerëzve që për bashkime familjar kërkonin të mësonin gjuhën gjermane fillimisht në Shqipëri. Ose edhe e të rinjve për studime në këto shtete. Ndërsa në 4 vitet e fundit, vihet re se kërkesat për të marrë mësime gjuhe është rritur shumë, gjë që përkon me thirrjen publike të shtetit gjerman për nevojën shtetërore për inxhinierë, mjekë, infermierë etj.”,- thotë Alisa.
Sipas saj, edhe çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. “Grupmosha që kryeson për ndjekjen e kurseve është 25-40 vjeç, pra të rinjtë për studime, ose familjarët për bashkime familjare.
Por nuk përjashtohen edhe mosha më të vogla”, – pohon Alisa. Sa u përket niveleve të gjuhës që ndjekin shqiptarët, ajo thotë se kryesisht ata që duan të vijojnë studime pasuniversitare në një shtet gjermanishtfolës ndjekin të gjitha nivelet, pjesa tjetër kryejnë vetëm një nivel që është i mjaftueshëm për dokumentacionet e nevojshme.
Sipas agjencive të punësimit në Tiranë, vetë Gjermania ka ofruar vitet e fundit vende pune të shumta, sidomos në fushën e mjekësisë, infermierisë dhe të shumtë kanë qenë të rinjtë që janë joshur të largohen: pagesa më të mira, akomodim falas dhe të tjera përfitime. Fushat që kërkohen më tepër nga të rinjtë janë në mjekësi, inxhinieri dhe shkenca kompjuterike.