BE jep 64.5 milionë euro parafinancim për Shqipërinë, Gonzato: Nxit ekonominë dhe forcon sundimin e ligjit
Shqipëria ka marrë financimin paraprak prej 64.5 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes të BE-së. Ky financim është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në, duke ndihmuar në përmbushjen e reformave të kërkuara për integrimin evropian.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, përshëndeti këtë financim dhe theksoi ndikimin pozitiv të tij:
“Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor. BE qëndron me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit”, shkroi ai.
Sipas Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, financimi paraprak përbëhet nga 30 milionë euro kredi koncesionare për buxhetin e shtetit, që mbështet reformat, si dhe 34.5 milionë euro në formë grantesh dhe huash koncesionare për investime infrastrukturore nëpërmjet Western Balkans Investment Framework (WBIF).
Në total, deri në vitin 2027, Shqipëria mund të përfitojë 922.1 milionë euro nga Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për reforma në sundimin e ligjit, të drejtat themelore, energjinë e rinovueshme, ekonominë dixhitale, kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e sektorit privat.
Pagesat e ardhshme nga ky fond do të bëhen sipas përparimit të Shqipërisë në zbatimin e reformave të dakorduara me BE-në në Axhendën e Reformës.