Vula në gjykatë e zgjedhjet në prag

Nga Roberto GRUDA

 

Partia Demokratike e Shqipërisë po përballet me një situatë të pazakontë në historinë pluraliste të mbi 30 viteve në Shqipëri.
Partia më e madhe opozitare dhe udhëheqja e disa qeverive po vuan prej një viti një krizë identiteti, nëse mund ta quajmë kështu.
Gjithçka nisi në muajin maj të vitit 2021 kur Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli Sali Berishën Non Grata në SHBA.
Pas këtij vendimi erdhi edhe në tjetër vendim më i vështirë që këtë e vuri në zbatim ish‐ kreu i demokratëve Lulzim Basha, përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike. Vendim i cili u pasua më kthimin e Sali Berishës edhe më aktiv në skenën politike.
Objektivi ishte marrja e Partisë Demokratike, një proces tejet i vështirë, tashmë në dyert e gjykatës.
Berisha organizoi strukturat dhe mbështetësit e tij për marrjen e vulës së Partisë Demokratike. Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga Lulzim Basha.
Ndaj këtij vendimi u bë ankimim nga kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj.
Pas shumë seancave gjyqësore dhe debateve Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm vendoi me 3 mars të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së parë, çështjen që lidhet me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike për drejtimin e kësaj force politike. Me këtë vendim, juridikisht, strukturat drejtuese të PD-së janë ato të zgjedhura në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga zoti Basha, i cili në mars të vitit të kaluar dha dorëheqjen.
Kryetar i komanduar në atë kohë u caktua nënkryetari Enkelejd Alibeaj, i cili tani konsiderohet si përfaqësues i ligjshëm i PD, dhe ka të drejtën që brenda ditës së hënë të rregjistrojë këtë forcë politike në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, për garën e pushtetit vendor më 14 maj. Ish kryeministri Sali Berisha, reagoi me tone të ashpra, pak pas shpalljes së vendimit. Ai foli për një akt, që sipas tij “synon, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri”.

Pas tij, nga selia e Partisë Berisha po ashtu tha se “tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës”. Duke akuzuar trupën gjykuese, Berisha u shpreh se grupimi tjetër e kishte pranuar në sallë se nuk kishte qenë palë në proces. “Çdo gjykatës me integritetin minimal, kur pala tjetër deklaronte se nuk ishte palë në këtë proces, mbyllte procesin dhe nuk vazhdonte më tutje, por ata kishin në sirtar vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës për të ndëshkuar opozitën politike”, u shreh ai.
Përtej çdo reagimi ajo që është më e rëndëshishme është se Berisha do të duhet të mendojë se si do të mund të futet në zgjedhjet e 14 majit. Duhet parë nëse aleati i tij Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta do ta ndihmojë që të regjistrohet nën logon e koalicionit si në zgjedhjet e pjesshme të para 1 viti apo të tentohet për mundësinë e gjetjes së një kompromisi me grupimin e Alibeajt.
Ndonëse ka mbetur vetëm 1 ditë nga afati zyrtar i regjistrimit në KQZ, Partia Demokratike është në një situatë të vështirë dhe mbështetësit e kësaj force politike duket të jenë të ndarë në dy kampe.
Orët në vijim janë vendimtare për bashkimin e Partisë Demokratike pasi zgjedhjet vendore janë në prag.
Në 3 mars Apeli nuk i dha zgjidhje problemit të pronësisë së selisë duke e lënë edhe për një kohë të gjatë vulën blu në gjykatë, KQZ‐në konfuze dhe popullin opozitar të dyzuar.