Dy ditë më parë, një nga banorët më të pëlqyer për publikun shqiptar, artisti Luiz Ejlli, i besoi Kiara Titos një të dhënë shumë personale të tij. Luiz Ejlli foli për sëmundjen e rrallë nga e cila vuante, sëmundje e cila trajtohet në pak klinika. Ai sqaroi se është shumë e vështirë të bësh një rezervim, pasi ky numër i ulët i vendeve ku trajtohet, shkakton vonesa. Madje, kur kishte tentuar të bënte një gjë të tillë, i është thënë që vetëm në gusht të 2023-shit, mund të niste analizat e para.
Kjo deklaratë tronditi vajzën që duket se i ka rrëmbyer zemrën Luiz Ejllit.
Në publik dhe në rrjete nisi diskutimi, e deri edhe tek besueshmëria e deklaratës së tij. Të shumtë ishin ata që thonin se e bëri për të fituar ‘zemrën’ e Kiara Titos. Të tjerë e mbështetën duke thënë se janë në dijeni që ai vuan nga një sëmundje e rrallë.
Gjithçka pritej të vërtetohej në natën e spektaklit. Pra mbrëmë. Kiara Tito u ftua në dhomën e grimit për të treguar para gjithë publikut shqiptar se çfarë i kishte rrëfyer bashkërrugëtari i saj. Ajo u paraqit tejet e prekur. Ndërsa nga ana tjetër, Ejlli u thërrit në dhomën e rrëfimit, ku pati një deklaratë kontradiktore, duke thënë se historia ishte e një shokut të tij, porse shenjat e ngjashme që kishte patur, e kanë bërë të dyshojë mos edhe ai ka një sëmundje të tillë. Brenda të njëjtës deklaratë ai u shpreh edhe se nuk do që të tjerët të kenë mëshirë për të. E vetmja që e besoi ishte Kiara. Ndërsa tek banorët e tjerë u shkaktua debat, deri në mosbesueshmëri.
Për të sqaruar këtë situatë, në orët e vona të mbrëmjes, Luiz Ejlli u dërgua për ekzaminime në QSUT. Dhe çuditërisht, përgjigjet e analizave për tumorr, dolën në më pak se dy orë.
Një vendim i tillë i produksionit të BB VIP irritoi më shumë opinionin publik. Gazetarë, personazhe publikë, analistë e mjekë, e gjykuan si të padrejtë këtë vepim . Madje, Turjan Hysko e krahasoi QSUT me KQZ-në.
Ajo që mbetet e paqartë është nëse Luiz Ejlli vuan realisht nga ndonjë sëmundje, apo jo. Komentuesit kundërshtuan mbrëmë produksionin duke thënë se është e vërtetë deklarata e banorit më të preferuar, por gjithçka është bërë vetëm që të ulin imazhin e tij.
Ndërkohë, me një kërkim të thjeshtë në Google, Luis Ejlli ka folur edhe para 5 vitesh për sëmundjen që kishte zbuluar.