Turi i takimeve dhe e vetmja porosi e ambasadores
Nga Roberto GRUDA
Ambasadorja Amerikane në Tiranë Yuri Kim duket se e kishte zgjedhur ditën e turit të takimeve që do ndërmerrte me drejtues të partive politike kryesore në vend për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Yuri Kim i nisi takimet paraditen e së mërkurës në selinë rozë ku aty e priste numri i dy i socialistëve Damian Gjiknuri. Nuk dihet ende nëse dita e takimit në PS ishte rastësi apo e mirëmenduar dhe pikërisht me Sekretarin e Përgjithshëm dhe jo me kryetarin e Partisë pasi atë ditë Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohëshisht Kryeministri Edi Rama nuk ndodhej në seli as në Shqipëri gjithashtu.
Thënë kjo pasi aludohet në media prej disa muajsh për një ftohje raportesh mes shefit të ekzekutivit dhe ambasadores amerikane në Tiranë. Ajo që u publikua në media është se takimi në PS zgjati rreth 45 minuta ku ambasadorja Kim zhvilloi një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të PS Damian Gjiknuri.
Ishte vetë Gjiknuri i cili zbardhi temat e diskutimit me diplomaten amerikane ku bëri me dije se zgjedhjet e 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit.
“ Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit. E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare,”, – tha Gjiknuri.
Axhenda e takimeve të Ambasadores Amerikane në Tiranë ka vijuar në zyrën e Enkelejd Alibeajt, kreut të komanduar të PD-së.
Kjo vizitë apo lëvizje e ambasadores erdhi pasi Gjykata e Apelit e kishte marrë vendimin se cila PD do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit dhe kë njihte si kryetar. Ndonëse diplomatja amerikane e njihte si kryetarin e Partisë Demokratike zyra ku e priste kryetari me vulë apo pa vulë ishte pak e çuditshme. Apeli e njihte si kryetar dhe me vulë por Alibeaj nuk kishte një seli por e priti në Kryesinë e Kuvendit. Në këtë takim nuk bëhet e ditur nëse u diskutua për kandidatë në veçanti por vetëm për rekomandimet e ODIHR në përgjithësi.
Kjo vizitë dukej më shumë si një përjashtim i Berishës nga procesi zgjedhor, dakordësi me Apelin si dhe çertifikim i fushatës për vendoret.
Gjithashtu edhe Enkelejd Alibeaj, ndau në rrjetet sociale detaje të takimit me ambasadoren amerikane.
“Në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale. Në fund të bisedës e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të zhvillimeve demokratike.” shkruante Alibeaj.
Vizitat e ambasadores amerikane Yuri Kim mbaruan në zyrën e Ilir Metës, tashmë Kryetar i Partisë së Lirisë.
Temat e diskutimit mësohen të kenë qenë të njëjta për zgjedhjet e 14 majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it. Ilir Meta tashmë kishte një kostum tjetër përballë diplomates Kim, atë të një kryetari partie dhe jo Presidentit. Edhe ky takim ishte i rëndësishëm për të dy personalitetet pasi vjen pas një kohë të gjatë debatesh në distancë në përiudhën kur Ilir Meta ishte Kreu i Shtetit. Duket se ky takim i sheshoi të gjitha mosmarrëveshjet me një dakordësi për fokusin tek 14 maji.
Meta pas takimit me Yuri Kim do të deklaronte se “qëndrimi i saj ishte korrekt dhe ishte vetëm e interesuar për standardet e zgjedhjeve. Shqetësimet e mia janë të gjitha zyrtare. Janë pak a shumë ato shqetësime që ka ngritur edhe vetë ambasadorja që kanë të bëjnë me standardin e zgjedhjeve dhe të mos ndodhin më ato që kanë ndodhur që nga përdorimi i administratës, shitblerja e votës dhe integriteti i kandidatëve që është shumë i rëndësishëm. Janë kërkesa shumë të drejta nga ana e ambasadores të bëra edhe në kaluarën nga ana e ambasadores. Cenimi i rëndësi i standardit të zgjedhjeve”.
Ambasada Amerikane i quajti këto takime si një kujtesë për partitë politike sa i përket vëzhgimeve dhe rekomandimeve të raporteve të mëparshme e ODIHR-it.
Me gjithë problematikat e deritanishme, pas dakordësisë me mazhorancën, njohjen e Alibeajt si kryedemokrat dhe pajtimin me Ilir Metën, diplomatja Amerikane në Tiranë Yuri Kim me këtë tur takimesh e dha mesazhin e qartë të institucionit që përfaqëson: Fokusi vetëm tek Bashkia.